Dekani dhe Zv.Dekani
Organet drejtuese
Administrata
Departamentet
Misioni i FTI
Misioni i FTI

 

Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit (FTI) është një nga njësitë kryesore të Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT). UPT është Institucion Publik i Arsimit të Lartë, me qendër në Tiranë, i cili shtrin aktivitetin e tij mësimor dhe shkencor brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, ofron studime me kohë të plotë në tre cikle dhe synon të përgatisë specialistë dhe shkencëtarë në fushat inxhinierike. Si i tillë FTI deri tani është unikal në llojin e tij brenda territorit shqiptar. Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit, pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës, është e para shkollë e lartë në Shqipëri për përgatitjen e specialistëve të lartë në fushat e inxhinierisë elektronike, inxhinierisë së telekomunikacionit dhe inxhinierisë informatike. Përgatitja e specialistëve në këto fusha ka për qëllim punësimin e tyre si inxhinierë në projektimin, realizimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të  përpunimit të informacionit në fushën e Teknologjisë së Informacionit (TI). Të diplomuarit nga FTI janë të aftë të punojnë në funksione me profil  të lartë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

Institucionet shkencore të vendit gjejnë në FTI partner serioz dhe të përkushtuar për përgatitjen e projekteve dhe veprave të tjera shkencore në dobi të vendit. Bizneset në fushën e Telekomunikacionit dhe të Teknologjisë së Informacionit duke bashkëpunuar me FTI kanë mundësi të aplikojnë arritjet më të fundit të shkencës dhe teknikës në bizneset e tyre duke rritur prodhimin dhe rendimentin e punës dhe ulur koston. FTI ka qenë dhe është në pararojë të institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri në aplikimin e modelit të ri të studimeve sipas modelit të Bolonjës, duke qenë fakulteti i parë në UPT që ka vënë në jetë me sukses modelin e Bolonjës. Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit ofron të tre nivelet e studimit: Bachelor, Master dhe Doktoratë.

 

FTI ka një bashkëpunim shumë të frytshëm me shumë fakultete homologe në rajon dhe në Evropë, si Universiteti i Prishtinës, Kosovë; Universiteti Politeknik i Torinos, Universiteti Politeknik i Ankonës, Univesiteti Politeknik i Barit, etj., Itali; Universiteti i Marburgut, Universiteti Teknik i Mynihut, Universiteti Humboldt i Berlinit, Universiteti i Siegenit, etj., Gjermani; Universiteti Teknik i Athinës, Greqi; Universiteti Teknologjik i Kompienjës, Francë; Universiteti Teknik i Katalonjës, Spanjë; Instituti Teknologjik i Fukuokës, Japoni; etj. Në këto universitete pedagogë të FTI kanë realizuar kualifikime afat shkurtër dhe afat gjatë duke përfituar nga eksperienca e tyre. Ndërkohë në to, disa studentë të FTI, kanë përfunduar ose janë në proces të studimeve Master dhe të Doktoratës.

 

 

Misioni dhe objektivat e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit

 

Misioni i FTI, si njësi kryesore e UPT, bazuar edhe në Statutin e Universitetit Politeknik të Tiranës, është të krijojë, të transmetojë, të zhvillojë e të mbrojë dijet me anën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shërbimeve si dhe të formojë specialistë të lartë dhe të përgatisë shkencëtarë të rinj të fushave të Teknologjisë së Informacionit: Telekomunikacion, Inxhinieri Informatike dhe Inxhinieri Elektronike bazuar në programe mësimore bashkëkohore, të kualifikuar dhe të përshtatshëm për tregun e punës në Shqipëri dhe në vende të tjera perëndimore; të ofrojë mundësi për të përfituar nga arsimi i lartë gjatë gjithë jetës; të ndihmojë zhvillimin ekonomik në nivel kombëtar dhe rajonal; të kontribuojë në rritjen e standardeve të demokracisë e të qytetërimit të shoqërisë dhe në përgatitjen e të rinjve për një shoqëri të tillë.

 

Në përputhje me këtë mision, vizioni i FTI është të bëjë një hap të ri cilësor në arsimimin e specialistëve të lartë në Shqipëri, për formimin inxhinierik dhe shkencor në fushën e Teknologjisë së Informacionit, Telekomunikacion, Inxhinieri Informatike dhe Elektronikë, për të projektuar, prodhuar dhe menaxhuar në fushat përkatëse, si dhe në zgjidhjen e problemeve teknike sa më komplekse në vend dhe jashtë tij.

 

Objektivat dhe aktivitetet kryesore të FTI orientohen dhe zhvillohen në përgjigje të kërkesave themelore të procesit të Bolonjës. Në vitin akademik 2002-2003 u hap për herë të parë diploma e nivelit të parë Bachelor në drejtimet e Inxhinierisë Elektronike, Inxhinierisë së Telekomunikacioneve dhe Inxhinierisë Informatike.

 

Objektivat e programit të studimit Bachelor në FTI

 

  • Sigurimi i cilësisë dhe plotësimi i standardeve akademike.
  • Realizimi i aktiviteteve mësimore të lidhura ngushtë me veprimtarinë praktike dhe programin e diplomave Bachelor që zhvillon, duke marrë pjesë në projekte kombëtare e ndërkombëtare dhe duke qenë partner me mjaft homologë të huaj.
  • Përditësimi me zhvillimet pozitive dhe arritjet e homologëve tanë shqiptarë e të huaj në fushën e përmirësimit të programeve e kurrikulave, metodave të mësimdhënies, praktikës profesionale, organizimit institucional, botimeve, përshtatjen me tregun e punës, etj.
  • Të diplomuarit në Bachelor të fitojnë një kulturë bazë inxhinierike në shkencat e formimit  të përgjithshëm dhe të formimit themelor specifik.
  • Të diplomuarit në Bachelor të fitojnë njohuri edhe në aspektet e menaxhimit dhe vlerësimit kritik të situatave, duke synuar më tej progresin teknologjik.

 

 

Objektivat e programit të studimit Master profesional në FTI

 

  • Sigurimi i cilësisë dhe plotësimi i standardeve akademike.
  • Realizimi i aktiviteteve mësimore dhe praktikave të lidhura ngushtë me veprimtarinë akademike dhe programin e diplomave Master profesional që zhvillon, duke marrë pjesë në projekte kombëtare e ndërkombëtare dhe duke qenë partner me mjaft homologë të huaj.
  • Përditësimi me zhvillimet pozitive dhe arritjet e homologëve tanë shqiptarë e të huaj në fushën e përmirësimit të programeve e kurrikulave, metodave të mësimdhënies, praktikave profesionale, organizimit institucional, përshtatjen me tregun e punës, etj.
  • Të diplomuarit në Master profesional të kryejnë praktikë profesionale të kualifikuar; duke zhvilluar më tej progresin shkencor dhe teknologjik, si dhe krijimi i një klase udhëheqëse me nivel të lartë profesional.

 

 

Objektivat e programit të studimit Master i shkencave në FTI

 

  • Sigurimi i cilësisë dhe plotësimi i standardeve akademike.
  • Realizimi i aktiviteteve studimore kërkimore e shkencore të lidhura ngushtë me veprimtarinë akademike dhe programin e diplomave Master i shkencave që zhvillon, duke marrë pjesë në projekte kombëtare e ndërkombëtare dhe duke qenë partner me mjaft homologë të huaj.
  • Organizimi dhe pjesëmarrja në kongrese, konferenca shkencore dhe seminare ndërkombëtare në fushat që mbulon ky program.
  • Përditësimi me zhvillimet pozitive dhe arritjet e homologëve tanë shqiptarë e të huaj në fushën e përmirësimit të programeve e kurrikulave, metodave të mësimdhënies, kërkimit shkencor, organizimit institucional, botimeve, përshtatjen me tregun e punës, etj.
  • Të diplomuarit në Master i Shkencave të kryejnë punë kërkimore të kualifikuar; duke zhvilluar më tej progresin shkencor dhe teknologjik; si dhe krijimi i një klase udhëheqëse me nivel të lartë profesional.

 

 

Cikli i studimeve Doktor i Shkencave në “Teknologjitë e Informacionit dhe të Komunikimit”, si pjesë e programeve të studimit të ofruara nga FTI, ka si objektiv të pajisë studentët e doktoratës me njohuri të thelluara, teorike, si dhe për kërkim shkencor në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Mbajtësi i diplomës “Doktor” kombinon aftësitë teorike, shkencore dhe komunikuese me kontekstin  kulturor, gjë që i jep atij mundësinë të punojë në funksione më profil  të lartë në nivel ndërkombëtar.

 

Programi i studimeve Doktoratë në TIK ka për qëllim:

- përgatitjen dhe kualifikimin e studiuesve dhe shkencëtarëve të rinj;

- kryerjen e veprimtarive studimore kërkimore e shkencore te lidhura ngushte me projekte kombëtare e ndërkombëtare dhe duke qenë partner me mjaft homologë të huaj;

- kualifikimin e vazhdueshëm shkencor të stafit akademik, duke krijuar vazhdimësi dhe qëndrueshmëri në cilësinë e stafit mësimdhënës;

- pjesëmarrje në kongrese dhe konferenca shkencore, seminare në fushat e TIK;

- kryerjen dhe mbështetjen e botimeve shkencore si: monografi, artikuj shkencor, libra, etj. 

 

 

Për realizimin e objektivave, është ndërtuar një strategji në drejtim të zhvillimit institucional, të programeve të studimit, dhe kërkimit shkencor në bashkëpunim me drejtuesit e UPT. FTI ka një përvojë pozitive në lidhje me sistemet e menaxhimit të cilësisë dhe sistemet e sigurimit të cilësisë në institucione qofshin këto në fushën e ekonomisë, qofshin ato në fushën e administratës apo edukimit. Kjo përvojë është jo vetëm teorike, e lidhur me atë pjesë të stafit të kualifikuar në drejtim të menaxhimit industrial në përgjithësi dhe menaxhimit të cilësisë në veçanti, por edhe praktike, e lidhur me aplikime të sistemeve të menaxhimit në fusha të ndryshme. FTI ka plotësuar të gjitha strukturat drejtuese, si për sa i përket autoriteteve drejtuese, ashtu edhe organeve drejtuese, konform kërkesave të Ligjit Nr. 9741, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”,  të datës 21.05.2007, i ndryshuar.

 

 

Në FTI kryhet kontroll i brendshëm për cilësinë e mësimdhënies në dy këndvështrime:

- i pari është ndjekja e të gjitha fazave të hartimit, rishikimit dhe miratimit të projekt – programeve të studimit të ndryshme, duke marrë opinionet e masës së pedagogëve dhe miratimi i tyre bëhet në formë kolegjiale. Kjo formë siguron cilësinë e hartimit të programit të studimit.

- i dyti është cilësia e implementimit të programit të studimit. Në këtë drejtim bëhen kontrolle, të cilat janë të orientuar drejt pjesëmarrjes së pedagogëve në mësim, por edhe drejt monitorimit të cilësisë së mësimdhënies të pedagogëve të ndryshëm sidomos të pedagogëve të rinj.

 

 

FTI si fakultet që mbulon degë inxhinierike të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, ka një bashkëpunim të fortë me Institute kërkimore shkencore në vend. FTI bashkëpunon ngushtësisht me agjencitë qeveritare si AKTI (Agjencia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Informacionit), AKSHI (Agjencia Kombëtare e Strategjive të Informacionit), AKEP (Agjensia e Komunikimeve Elektronike dhe Postare), kompanitë e telekomunikacionit të Telefonisë Celulare dhe fikse në vend, Kompanitë e Internetit (ISP), Kompanitë televizive, etj.

 

 

Ky bashkëpunim ka bërë të mundur pjesëmarrjen e studentëve në projekte kërkimore dhe kanë rritur ndjeshëm vlerat e punimeve të diplomave master, si dhe punimet e disertacioneve, në Fakultetin e  Teknologjisë së Informacionit.

Bashkëpunime ndërkombëtare Shërbimet Copyright © 2010-2016 Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT)
Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit (FTI)
Sheshi Nënë Tereza 4, Tiranë
Telefon: +355.42.278159
Qendër Download Posta Elektronike Biblioteka