Cikli i Parë Bachelor
Cikli i Dytë Master i shkencave
Cikli i Tretë Doktor i shkencave
Struktura mësimore
Rregullore Cikli i Parë
Rregullore Cikli i Dytë
Rregullore Cikli i Tretë
Rregullore Cikli i Tretë
 
RREGULLORJA E SHKOLLËS SË DOKTORATËS NË
TEKNOLOGJITË E INFORMACIONIT DHE KOMUNIKIMIT

 

Art. 1 - Objektivat e Shkollës së Doktoratës

  1. Shkolla e Doktoratës në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit përfaqëson edukimin e nivelit të tretë ofruar pranë Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit.
  2. Kualifikimi i studentëve të Doktoratës ka për qëllim pajisjen e studentëve me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të kryer kërkim shkencor me nivel të lartë pranë universiteteve, trupave publike, dhe organizatave private; duke zhvilluar më tej progresin shkencor dhe teknologjik si dhe krijimin e një klase udhëheqëse profesionistësh me nivel të lartë njohurish, të aftë të bashkëpunojnë në nivele ndërkombëtare.
  3. Këto objektiva realizohen përmes aktiviteteve mësimore me cilësi të lartë.

Art. 2 - Lajmërim për hapjen e konkursit

  1. Çdo lajmërim për hapjen e konkursit për pranimin në Shkollën e Doktoratës, shpallur me dekret të Rektorit dhe duhet të njoftohet në mediat elektronike dhe të shtypit. Lajmërimi duhet të përfshijë:

a. Kurrikulën mësimore të Shkollës së Doktoratës;

b. Kohëzgjatjen e Shkollës së Doktoratës;

c. Afatin për paraqitjen e aplikimeve;

d. Metodologjinë e përdorur për të kryer përzgjedhjen;

e. Kriteret e vlerësimit të kandidatëve;

f. Numrin maksimal të kandidateve që do të pranohen;

g. Numrin e bursave të ofruara;

h. Afatin e dorëzimit të dokumentave për kandidatët fitues me qëllim regjistrimin në Shkollën e Doktoratës;

i. Kriteret për pranimin në vitin pasues pas vitit të parë të studimeve;

j. Aktet që mund të sjellin pezullimin dhe  revokimin e bursave;

k. Taksat që duhen paguar nga studentët dhe rregullin për specifikimin e rasteve të veçanta ku ndodhin përjashtime nga rregullat e përgjithshme;

l. Të drejtat dhe detyrimet e çdo studenti;

2. Lajmërimi për pranimet mund të përfshijë gjithashtu mundësinë që studentët rezidentë në vende të tjera të kryejnë proçedurën e pranimit në univeristet e vendeve të tyre.

Art. 3 - Kërkesat për pranimin në Shkollën e Doktoratës

Aplikimet për Doktoratë pranohen nga kandidatë që zotërojnë një titull studimi “Master i nivelit të dytë”, “Diplomë e nivelit të dytë”,  “Diplomë e i integruar e nivelit të dytë”, “Diplomë e sistemit 5-vjeçar”, në degët e teknologjisë së informacionit, si dhe një titull studimi ekuivalent fituar jashtë shtetit dhe të njohur zyrtarisht nga organet kompetente, sipas akteve ligjore në fuqi. Dokumentacioni i pranimit në ciklin e tretë duhet të jetë i plotë pranë Këshillit të Profesorëve të fakultetit një muaj para datës së fillimit të ciklit të tretë. Ai duhet të përbëhet si më poshtë:

  1. Kërkesë me shkrim e kandidatit, ku të saktësohet: emri i programit të ciklit të tretë që dëshiron të ndjekë; emri i diplomës të ciklit të dytë që zotëron, ose diplomë tjetër ekuivalente me të. Kandidati duhet të saktësojë se është në dijeni dhe do të përmbushë gjithë kerkesat që rrjedhin nga detyrimet ligjore dhe finaciare në fuqi.
  2. Diplomë origjinale DND, e studimeve të ciklit të dytë  dhe lista e notave origjinale.
  3. Kartë identiteti.  

Art. 4 - Kriteret e pranimit në ciklin e tretë

  1. Lejohen të ndjekin ciklin e tretë ata kandidatë që kanë fituar diplomë të nivelit të dytë, ose ekuivalente me të, sipas akteve ligjore në fuqi. 
  2. Mesatarja e ponderuar e notave në studimet e DND duhet të jetë më e madhe, ose e barabartë me 8 (tetë), ose 80 % e pikëve totale.
  3. Në varësi të mundësive të çdo programi studimi caktohet një numër minimal/maksimal i pranimeve në çdo diplomë. 
  4. Për kandidatë që vijnë nga institucione publike, duhet të caktohet limiti kohor deri në 6 vjet (kandidatët mund të plotësojnë kreditet e vitit të parë me një plan vetiak studimi).
  5. Përfundimet e konkursit të pranimit shpallen në website-in e shkollës dhe në gazetën zyrtare të Republikës së Shqipërisë jo më vonë se një javë para fillimit të ciklit të tretë. 

Art. 5 - Pranimet

  1. Pranimet në Shkollën e Doktoratës do të përcaktohen bazuar në një klasifikim të përgjithshëm sipas meritave, kryer nga Këshilli i Profesorëve, derisa të plotësohet numri i vendeve të përcaktuara në lajmërimin e publikuar nga Rektori.
  2. Kandidatët e pranuar në Doktoratë bazuar në listën finale do të humbin të drejtën e tyre për t’u regjistruar në Shkollë nëse nuk paraqesin dokumentat e nevojshme për regjistrim brenda afateve të përcaktuara nga lajmërimi.
  3. Renditja finale e kandidatëve bëhet publike në website-in e Shkollës.
  4. Nëse një prej aplikuesve tërhiqet përpara fillimit të Doktoratës, vendi do t’i ofrohet aplikuesit të parë në renditjen e listës.

Art. 6 - Aplikime të Pavlefshme

Studentët e regjistruar në një program tjetër diplome, nuk mund të regjistrohen njëkohësisht në një Shkollë Doktorate.

Art. 7 - Të drejtat dhe detyrimet e studentit të Doktoratës

  1. Studentët e regjistruar në Shkollën e Doktoratës duhet të ndjekin leksionet, seminaret dhe të gjitha aktivitet mësimore, të kryejnë aktivitetet e kërkimit shkencor duke punuar me kohë të plotë në strukturat e përcaktuara për këtë qëllim dhe të dorëzojnë në fund të vitit një raport mbi punën e kryer pranë Komitetit të Shkollës së Doktoratës.
  2. Këshilli i Profesorëve mund të vendosë të përjashtojë një student nga Shkolla e Doktoratës nëse verifikohet një nga rastet e mëposhtme:

a. Shprehja e një vlerësimi negativ nga ana e udhëheqësit të Doktoratës lidhur me pranimin në vitin tjetër të studimeve; në këtë rast Këshilli i Profesorëve verifikon realizimin e rezultateve të kërkuara si edhe përkushtimin dhe zellin e treguar në punën kërkimore të kryer;

b. mungesa të gjata dhe të pajustifikuara.

3. Studenti i Doktoratës ka të drejtë të marrë leje-lindje,  leje për të kryer shërbimin ushtarak ose për sëmundje serioze.

4. Mungesa për arsye të tjera të pa listuara më sipër duhet të autorizohet nga Këshilli i Profesorëve.

Art. 8 - Dizertacioni i Doktoratës

  1. Titulli “Doktor” fitohet kur studenti kalon me sukses provën finale të mbrojtjes së Dizertacionit të Doktoratës, që mund të përsëritet vetëm një herë.
  2. Në fund të studimeve të Shkollës së Doktoratës, studenti i regjistruar në vitin e fundit dorëzon kërkesën për t’u pranuar në provën finale pranë Këshillit të Profesorëve.
  3. Këshilli i Profesorëve kërkon një rekomandim nga udhëheqësi përsa i përket dizertacionit të studentit dhe vendos nëse kandidati do të pranohet në provën finale, duke hartuar një raport të detajuar lidhur me punën e kandidatit gjatë Doktoratës.
  4. Kandidati mund të kryejë mbrojtjen pasi Këshilli i Profesorëve vlerëson pozitivisht dizertacionin.
  5. Për arsye të justifikuara që paraprijnë dorëzimin e dizertacionit në afatin e caktuar, Rektori, me propozim të Këshillit të Profesorëve, mund të akordojë një shtyrje të afatit për dorëzimin e dizertacionit në vitin akademik pasues. Një shtyrje e tillë mund të akordohet deri në dy herë.
  6. Për të përftuar një shyrje të afatit një kandidat duhet të dorëzojë një kërkesë dhe opinionin pozitiv të Këshillit të Profesorëve.

Art. 9 - Komisioni i vlerësimit për lëshimin e titullit “Doktor”

  1. Jo më vonë se  dy muaj, Këshilli i Profesorëve duhet të propozojë anëtarët e komisionit vlerësues për mbrojtjen publike të tezës së doktoratës, që ja paraqet Rektorit.
  2. Komisioni i Vlerësimit miratohet nga Rektori bazuar në propozimin e Këshillit të Profesorëve, jo më vonë së nëntëdhjetë ditë pas përfundimit të Shkollës së Doktoratës. 

Art. 10 - Mbrojtja e tezës së Doktoratës dhe fitimi i titullit “Doktor”

  1. Teza e doktoratës do të paraqitet përpara Komisionit të Vlerësimit dhe konsiston në mbrojtjen publike të dizertacionit. Titulli “Doktor” fitohet vetëm pas kalimit me sukses të mbrojtjes së tezës së Doktoratës.
  2. Kandidati dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit duhet të njoftohen të paktën shtatë ditë përpara ditës së mbrojtjes lidhur me vendin dhe orarin e mbrojtjes me anë të një njoftimi zyrtar.
  3. Kandidati duhet të pajisë çdo anëtar të Komisionit të Vlerësimit me një kopje të dizertacionit; kjo e fundit shoqërohet nga raporti i përpiluar nga Këshilli i Profesorëve dhe prezantimi i përgatitur nga udhëheqësi. Kandidati duhet të dorëzojë tre kopje të dizertacionit final pranë administratës së Shkollës së Doktoratës e cila është përgjegjëse për depozitimin e tyre pranë Bibliotekës së Universitetit.
  4. Komisioni i Vlerësimit duhet të formulojë një raport për secilin kandidat. Raporti përbën një pjesë esenciale të vlerësimit përfundimtar për Tezën e Doktoratës.
  5. Marrëveshjet e partneritetit ndërkombëtar mund të sjellin përfshirjen e rregullave ekstra për lëshimin e titullit “Doktor”.

 

UNIVERSITETI  POLITEKNIK, TIRANË
FAKULTETI I TEKNOLOGJISË SË INFORMACIONIT

Adresa: Sheshi 'Nënë Tereza 4', Tiranë, Tel/Fax: (4) 2227914



Cikli i tretë i studimeve: Rregullorja e Shkollës së Doktoratës
Përgatitur nga stafi akademik i FTI, miratuar nga Këshilli i Profesorëve, 
Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit,
 
Universiteti Politeknik i Tiranës.
 
Bashkëpunime ndërkombëtare Shërbimet Copyright © 2010-2021 Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT)
Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit (FTI)
Sheshi Nënë Tereza 4, Tiranë
Telefon: +355.42.278159
Qendër Download Posta Elektronike Biblioteka