Rreth FTI
Departamenti i Elektronikës,

Departamenti i Elektronikës ishte njëri nga dy departamentet e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike të Universitetit Politeknik (krijuar me VKM Nr. 359, datë 21.09.1991 për organizimin e disa fakulteteve të universiteteve).
     
Në vitn 1991 u bënë  përpjekje për unifikimin e planeve mësimore për dy vitet e para të të gjithë UPT. Ky plan mësimor u parashikua me 10 semestra mësim, ndërsa semestri i 11-të do të shërbente për përgatitjen e projektit të diplomës. Që në fillim lindën disa vështirësi dhe ndarje midis fakulteteve. Ky plan mësimor nuk u miratua dhe menjëherë u bënë ndryshimet e nevojshme për ta realizuar atë me 9+1 semestra. Me këtë plan mësimor vijoi deri në vitin 1995 përgatitja e inxhinierit elektronik të përgjithshëm.
    
Në shtator 1992 dy katedrat e Degës së Elektronikës u ribashkuan në një të vetme. Një ribashkim i fundit i katedrave, sepse koha vërtetoi se ishte një hap i hedhur me nxitim. U deshën të kalonin vetëm dy?tre vite dhe pikërisht në vitin 1994 kërkesat e mëdha të ekonomisë, bënë të domosdoshëm organizimin e ri. Departamenti i Elektronikës kishte katër seksione: Seksioni i Bazave të Elektronikës, Seksioni i Telekomunikacionit, Seksioni i Automatikës dhe Seksioni i Inxhinierisë së Kompjuterave.
   
    Plani mësimor me tre drejtime
      
      Në vitin 1996 u diplomuan inxhinierët e parë sipas tre drejtimeve: telekomunikacion, inxhinieri kompjuteri dhe automatikë. Plani mësimor i tanishëm ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përmbledh 7 semestrat e përbashkët dhe pjesa e dytë përmbledh tre semestrat e fundit, në të cilët zhvillohen lëndët sipas tre drejtimeve. Në këtë plan mësimor vihet re se të tre drejtimet kanë përsëri lëndë të përbashkëta, gjë që  lehtëson shumë si zhvillimin e lëndëve, ashtu edhe punësimin e inxhinierëve elektronikë
      Ndryshimet kryesore në këtë plan mësimor u bënë sipas drejtimeve.
      Plani mësimor i drejtimit të Telekomunikacionit synon në përgatitjen e inxhinierëve, të cilët do shfrytëzojnë dhe  projektojnë sistemet e telekomunikacioneve.
      Plani mësimor i drejtimit të inxhinierisë së kompjuterave është mbështetur në zhvillimin e informatikës dhe përdorimin e gjërë të saj në automatizim dhe në shoqërinë e informacionit.
      Plani mësimor i drejtimit të automatikës synon të formojë një inxhinier të përgatitur për të realizuar, zhvilluar dhe drejtuar aparate dhe sisteme pa pjesëmarrjen e drejpërdrejtë të njeriut.
      Një ndihmesë të madhe në përgatitjen e programeve dhe të përpilimit të leksioneve të lëndëve të ndryshme për të tre drejtimet u dha nga Projekti TEMPUS. Ky projekt u zbatua gjatë viteve 1994-1996 dhe u mbështet nga Universiteti Politeknik Kombëtar i Athinës dhe Politekniku i Barit. Nga ky projekt laboratoret e Departamenti të Elektronikës u pajisën me kompjutera dhe me aparatura të reja, me të cilat u mbështetën të tre drejtimet e inxhinierisë elektronike. Në vitin 1999 u krye riorganizimi i departamentit në katër seksione:
- Seksioni i Bazave të Elektronikës
- Seksioni i Telekomunikacion
- Seksioni i Automatikës
- Seksioni i Inxhinierisë së Kompjuterave.
      Strategjia e ecjes përpara e sistemit 3+2

      Pas miratimit të marrëveshjes nga MASH, filloi zbatimi i projektit për krijimin e shkollës 3 vjeçare   në vitin 2002 në Departamentin e Elektronikës të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike. Projekti u financua nga Qeveria Italiana nëpërmjet CONICS,  drejpërdrejt nga Universiteti i Ankonës dhe Politekniku i Torinos. Projekti parashikonte formimin e tre tipe diplomash:
1-Inxhinier elektronik
2-Inxhinier telekomunikacioni
3-Inxhinieri informatike.

Në vitin 2005 filloi zbatimi i plus 2,  për përgatitjen e inxhinierëve elektronikë, telekomunikacion dhe informatikë me diplomën e nivelit të dytë. Kjo diplomë është e cilësuar kështu në përputhje me ligjin e arsimit të lartë Nr.9741 datë 21.5. 2007.

Në dhjetor 2007 u krijua Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit mbi bazën e tre deparatamenteve:
1-Departamenti i Elektronikës dhe Telekomunikacionit (nga bashkimi i seksoneve të Elektronikës dhe të Telekomunikacionit).
2- Departamenti i Inxhinierisë Informatike (në përbërje të të cilit  është edhe seksioni i informatikës ish pjesë e Departamentit të Matematikës).
3- Qëndra për kërkim dhe zhvillim të teknologjisë së informacionit, grupi i ish INIMA-s.

Bashkëpunime ndërkombëtare Shërbimet Copyright © 2010-2021 Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT)
Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit (FTI)
Sheshi Nënë Tereza 4, Tiranë
Telefon: +355.42.278159
Qendër Download Posta Elektronike Biblioteka