Rreth FTI |
Departamenti i Elektronikës,
Departamenti i Elektronikës ishte
njëri nga dy departamentet e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike të
Universitetit Politeknik (krijuar me VKM Nr. 359, datë 21.09.1991 për
organizimin e disa fakulteteve të universiteteve). Në vitn
1991 u bënë përpjekje për unifikimin e planeve mësimore për dy vitet e
para të të gjithë UPT. Ky plan mësimor u parashikua me 10 semestra
mësim, ndërsa semestri i 11-të do të shërbente për përgatitjen e
projektit të diplomës. Që në fillim lindën disa vështirësi dhe ndarje
midis fakulteteve. Ky plan mësimor nuk u miratua dhe menjëherë u bënë
ndryshimet e nevojshme për ta realizuar atë me 9+1 semestra. Me këtë
plan mësimor vijoi deri në vitin 1995 përgatitja e inxhinierit
elektronik të përgjithshëm. Në shtator 1992 dy katedrat e
Degës së Elektronikës u ribashkuan në një të vetme. Një ribashkim i
fundit i katedrave, sepse koha vërtetoi se ishte një hap i hedhur me
nxitim. U deshën të kalonin vetëm dy?tre vite dhe pikërisht në vitin
1994 kërkesat e mëdha të ekonomisë, bënë të domosdoshëm organizimin e
ri. Departamenti i Elektronikës kishte katër seksione: Seksioni i
Bazave të Elektronikës, Seksioni i Telekomunikacionit, Seksioni i
Automatikës dhe Seksioni i Inxhinierisë së Kompjuterave. Plani mësimor me tre drejtime
Në vitin 1996 u diplomuan inxhinierët e parë sipas tre drejtimeve:
telekomunikacion, inxhinieri kompjuteri dhe automatikë. Plani mësimor i
tanishëm ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përmbledh 7 semestrat e
përbashkët dhe pjesa e dytë përmbledh tre semestrat e fundit, në të
cilët zhvillohen lëndët sipas tre drejtimeve. Në këtë plan mësimor
vihet re se të tre drejtimet kanë përsëri lëndë të përbashkëta, gjë që
lehtëson shumë si zhvillimin e lëndëve, ashtu edhe punësimin e
inxhinierëve elektronikë Ndryshimet kryesore në këtë plan mësimor u bënë sipas drejtimeve.
Plani mësimor i drejtimit të Telekomunikacionit synon në përgatitjen e
inxhinierëve, të cilët do shfrytëzojnë dhe projektojnë sistemet e
telekomunikacioneve. Plani mësimor i drejtimit të
inxhinierisë së kompjuterave është mbështetur në zhvillimin e
informatikës dhe përdorimin e gjërë të saj në automatizim dhe në
shoqërinë e informacionit. Plani mësimor i drejtimit të
automatikës synon të formojë një inxhinier të përgatitur për të
realizuar, zhvilluar dhe drejtuar aparate dhe sisteme pa pjesëmarrjen e
drejpërdrejtë të njeriut. Një ndihmesë të madhe në përgatitjen
e programeve dhe të përpilimit të leksioneve të lëndëve të ndryshme për
të tre drejtimet u dha nga Projekti TEMPUS. Ky projekt u zbatua gjatë
viteve 1994-1996 dhe u mbështet nga Universiteti Politeknik Kombëtar i
Athinës dhe Politekniku i Barit. Nga ky projekt laboratoret e
Departamenti të Elektronikës u pajisën me kompjutera dhe me aparatura
të reja, me të cilat u mbështetën të tre drejtimet e inxhinierisë
elektronike. Në vitin 1999 u krye riorganizimi i departamentit në katër
seksione: - Seksioni i Bazave të Elektronikës - Seksioni i Telekomunikacion - Seksioni i Automatikës - Seksioni i Inxhinierisë së Kompjuterave. Strategjia e ecjes përpara e sistemit 3+2
Pas miratimit të marrëveshjes nga MASH, filloi zbatimi i projektit për
krijimin e shkollës 3 vjeçare në vitin 2002 në Departamentin e
Elektronikës të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike. Projekti u
financua nga Qeveria Italiana nëpërmjet CONICS, drejpërdrejt nga
Universiteti i Ankonës dhe Politekniku i Torinos. Projekti parashikonte
formimin e tre tipe diplomash: 1-Inxhinier elektronik 2-Inxhinier telekomunikacioni 3-Inxhinieri informatike.
Në
vitin 2005 filloi zbatimi i plus 2, për përgatitjen e inxhinierëve
elektronikë, telekomunikacion dhe informatikë me diplomën e nivelit të
dytë. Kjo diplomë është e cilësuar kështu në përputhje me ligjin e
arsimit të lartë Nr.9741 datë 21.5. 2007.
Në dhjetor 2007 u krijua Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit mbi bazën e tre deparatamenteve: 1-Departamenti i Elektronikës dhe Telekomunikacionit (nga bashkimi i seksoneve të Elektronikës dhe të Telekomunikacionit). 2-
Departamenti i Inxhinierisë Informatike (në përbërje të të cilit është
edhe seksioni i informatikës ish pjesë e Departamentit të Matematikës). 3- Qëndra për kërkim dhe zhvillim të teknologjisë së informacionit, grupi i ish INIMA-s.
|
|